40 kompani izraelite zbarkojnë në Tiranë, fokus siguria kibernetike dhe inovacioni
Mbi 40 kompani teknologjie dhe sigurie kibernetike nga Izraeli morën pjesë në Samitin Shqipëri-Izrael në Tiranë, me fokus investimet, inovacionin dhe mbrojtjen digjitale.
Tirana u kthye këtë të martë në një qendër takimi për industrinë izraelite të teknologjisë dhe sigurisë kibernetike, ndërsa mbi 40 kompani inovative nga Izraeli morën pjesë në Samitin Shqipëri-Izrael. Aktiviteti solli në kryeqytet përfaqësues të kompanive të avancuara izraelite, në një moment kur Shqipëria po synon të forcojë kapacitetet e saj në teknologji, transformim digjital dhe mbrojtje ndaj sulmeve kibernetike.
Në fjalën e tij, Kryeministri Edi Rama e cilësoi praninë e kompanive izraelite si një zhvillim shumë pozitiv për Shqipërinë, duke theksuar se vendi po mbështet zhvillimin ekonomik te teknologjia dhe inovacioni.
“Vendet nuk dallojnë me njëri-tjetrin në bazë të asaj çfarë zotërojnë, por në bazë të asaj që dinë”, tha Rama, duke cituar ekonomistin Ricardo Hausmann dhe duke vlerësuar Izraelin si një model të ndërtuar mbi dijen dhe inovacionin.
Siguria kibernetike në qendër të samitit
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte siguria kibernetike, e cila mori rëndësi strategjike për Shqipërinë pas sulmeve iraniane ndaj infrastrukturës digjitale shqiptare në vitin 2022.
Rama deklaroi se Shqipëria “e zbuloi sigurinë kibernetike në mënyrën më të vështirë”, duke iu referuar sulmit që synonte paralizimin e sistemit online të shërbimeve publike.
Sipas Kryeministrit, sulmi erdhi pasi Shqipëria strehoi mijëra iranianë opozitarë për arsye humanitare, ndërsa objektivi ishte goditja e transformimit digjital të administratës publike shqiptare.
“U bëmë një vend që 95% të shërbimeve i ofron online dhe këtë synuan ata ta shkatërronin”, u shpreh Rama.
Ai vlerësoi mbështetjen e Izraelit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe ekspertëve amerikanë për përballimin e sulmit dhe forcimin e mbrojtjes kibernetike në Shqipëri.
Fokus te investimet dhe ekonomia digjitale
Përveç sigurisë kibernetike, samiti kishte edhe një fokus të fortë ekonomik. Qeveria shqiptare synon të tërheqë më shumë investime izraelite në sektorët e teknologjisë, inovacionit dhe shërbimeve digjitale, duke e pozicionuar Shqipërinë si një qendër rajonale për ekonominë digjitale.
Rama theksoi gjithashtu marrëdhëniet historike mes dy vendeve, duke kujtuar se Shqipëria ishte vendi i vetëm në Europë që doli nga Lufta e Dytë Botërore me më shumë hebrenj sesa kishte para nisjes së saj.
Kryeministri bëri të ditur se numri i turistëve hebrenj që vizitojnë Shqipërinë është rritur me 700 për qind vitet e fundit, ndërsa fluturimet direkte mes dy vendeve pritet të forcojnë më tej lidhjet ekonomike dhe turistike.
Samiti konsiderohet një tjetër hap në afrimin strategjik mes Shqipërisë dhe Izraelit, me fokus teknologjinë, sigurinë kibernetike, investimet dhe transformimin digjital të ekonomisë shqiptare.